Rhema është një organizatë jofitimprurëse që shpërndan libra të krishterë falas.

Mësoni se çfarë bëjmë ne si organizatë jofitimprurëse, historinë e veprimtarive tona dhe si mund të merrni pjesë ju.

Shpërndarësit e letërsisë Rhema janë një grup besimtarësh në të gjithë globin të angazhuar në një mision të vetëm: të shpërndajnë aktivisht letërsinë e krishterë të cilësisë më të lartë. Në mbi 100 vende dhe në më shumë se 40 gjuhë, ne shpërndajmë sipas një parimi të thjeshtë: e gjithë letërsia jonë dhurohet tërësisht falas.

Ne shpërndajmë libra që na kanë ndihmuar së tepërmi për të kuptuar Biblën dhe për të njohur e përjetuar Krishtin në jetën tonë të përditshme. Veçanërisht ne bashkëpunojmë ngushtë me Living Stream Ministry për të shpërndarë një numër të titujve kryesorë nga autorët e tyre.

Ne jemi një organizatë bamirëse jofitimprurëse; shpërndarja e librave tanë mundësohet nëpërmjet dhuratave nga besimtarë e kisha nga e gjithë bota. Ata na kanë besuar mjetet për të qenë një kanal i lirë dhe i gjerë furnizimi për të gjithë ata që kërkojnë ta njohin Perëndinë në një mënyrë të thellë e të kënaqshme.

besimi ynë

Njerëzit herë pas here pyesin për besimet tona. Këtu është shpallja e besimit tonë. Ndjekja e këtyre besimeve nuk është kërkesë për të marrë librat tanë. Librat tanë janë të disponueshëm falas për çdonjërin me çfarëdolloj besimesh.

Ne në Rhema i përmbahemi besimit të përbashkët që kanë të gjithë besimtarët, përmbajtja e të cilit është paraqitur një herë e përgjithmonë në Dhiatën e Re. Veçanërisht, ky besim i përbashkët në Dhiatën e Re përbëhet nga çështjet e mëposhtme në të cilat ne besojmë për sa i përket Biblës, Perëndisë, Krishtit, shpëtimit dhe amshimit:

  • Bibla është zbulesa e plotë hyjnore dhe çdo fjalë e saj është frymëzuar nga Perëndia nëpërmjet Frymës së Shenjtë.


  • Perëndia është unik dhe përjetësisht një e megjithatë Ai është gjithashtu përjetësisht triun si Ati, Biri dhe Fryma, me këta të tre që janë të dallueshëm, por jo të ndarë.


  • Perëndia në Krishtin u mishërua për të qenë një njeri i vërtetë, i përkryer, i quajtur Jezus. Ai u kryqëzua në kryq dhe vdiq në një vdekje zëvendësuese për shpengimin tonë. Në ditën e tretë ai u ngrit nga të vdekurit, duke u ringjallur me një trup të përlëvduar. Ai u ngrit në krahun e djathtë të Perëndisë dhe u bë Zoti i gjithçkaje.


  • Njeriu mëkatoi e është mëkatar dhe, si i tillë, ra nën gjykimin e Perëndisë. Por nëpërmjet vdekjes zëvendësuese të Krishtit, u hap rruga që njeriu të marrë shpëtimin nga mëkati dhe gjykimi i Perëndisë. Sa herë që një njeri pendohet para Perëndisë dhe beson në Zotin Jezu Krisht, ai merr shpëtimin e amshuar, faljen e mëkateve, përligjjen përpara Perëndisë, madje edhe paqen me Perëndinë. Duke u bazuar mbi këtë, një njeri i shpëtuar merr jetën dhe natyrën hyjnore, që e bëjnë atë fëmijë të Perëndisë dhe pjesë të Trupit të Krishtit në të cilin të gjithë besimtarët rriten dhe ndërtohen së bashku deri në pjekuri.


  • Krishti po vjen përsëri në tokë për t’i marrë besimtarët e Tij te Vetvetja. Në amshim ne do të banojmë me Perëndinë në Jerusalemin e Ri, që është realizimi përfundimtar i shpëtimit të Perëndisë për të zgjedhurit e Tij.

Synimi ynë në Rhema është të shpërndajmë falas një koleksion unik të shkrimeve të krishtera, që besojmë se do të rritin në maksimum kuptimin dhe përjetimin e lexuesit për këtë besim në Dhiatën e Re. Besimtarët gëzojnë jo vetëm një shpëtim të amshuar në Krishtin nëpërmjet shpengimit të Tij, por edhe një shpëtim të përditshëm në jetën e Tij, që mund të realizohet praktikisht nëpërmjet ushqimit frymëror nga Bibla. Ky ka qenë përjetimi ynë; shpresojmë se ai do të jetë edhe i juaji.

Historia jonë

Mbi 30 vjet histori të Rhema Literature Distributors

Rhema ka shpërndarë letërsi falas që në mesin e viteve 1980. Së pari filluam të shpërndajmë Biblën dhe libra frymërorë në gjuhën ruse për vendet e ish Bashkimit Sovjetik. Mënyra kryesore e shpërndarjes ishte nëpërmjet postës për secilin kërkues, por gjithashtu bashkëpunonim me grupe të tjera për të përhapur të vërtetën nga Fjala e Perëndisë në shumë vende.

Më 1999 përpjekjet në gjuhën ruse arritën kulmin me një shpërndarje masive të një botimi të ri të Dhiatës së Re në rusisht, që përmbante komente të zgjeruara dhe materiale studimore.

Më 2001 Rhema filloi të shqyrtonte nevojën për të shpërndarë letërsi frymërore falas në gjuhë e vende të tjera; kjo çoi në një zgjerim gradual që përfshiu rajone të tjera kryesore të globit. Si valë të parë, shtuam dhjetë gjuhë të tjera dhe përgatitëm një komplet standard librash për shpërndarje.

Më 2006 Rhema hartoi plane për një tjetër valë gjuhësh, duke përfshirë ato kryesore për Lindjen e Mesme dhe Azinë.

Gjatë këtyre 20 viteve të kaluara, janë shpërndarë miliona kopje të letërsisë së krishterë, të gjitha falas.

Merrni pjesë

Ka tri mënyra se si mund të merrni pjesë: së pari, nëpërmjet lutjes; së dyti, nëpërmjet dhurimeve; së treti, nëpërmjet pjesëmarrjes në shpërndarjen e letërsisë falas në zonën tuaj.

Merrni pjesë nëpërmjet lutjes

Shumë veta kanë shprehur dëshirën për të marrë pjesë në përhapjen e letërsisë në zonën e tyre dhe nëpër botë. Ne i çmojmë këto kërkesa për më shumë informacion dhe shpresojmë t’ju përgjigjemi në këtë pjesë se në ç’mënyra mund të bashkëpunoni me ne. E kemi ndarë këtë pjesë në tre kategori të pjesëmarrjes: nëpërmjet lutjes, dhurimeve dhe shpërndarjes.

Mënyra e parë dhe më e rëndësishme për të marrë pjesë është nëpërmjet lutjes. Gjatë shpërndarjes së librave falas në gjuhë e vende të ndryshme, neve na ka bërë përshtypje të thellë lutja dhe kërkesa e posaçme për shpëtimin e njeriut, që gjendet te 1 Timoteut, kapitulli 2.

Prandaj nxis, para së gjithash, që të bëhen kërkesa, lutje, ndërhyrje, falënderime për të gjithë njerëzit; për mbretërit dhe të gjithë ata që janë në pozita të larta, që të bëjmë një jetë të qetë e të paqtë me gjithë perëndishmërinë dhe seriozitetin. Kjo është e mirë dhe e pranueshme përpara Perëndisë, Shpëtimtarit tonë, i cili dëshiron që të gjithë njerëzit të shpëtohen dhe të vijnë te njohja e plotë e së vërtetës.1 Tim 2:1-4

Këtu mund të nënvizojmë çështjet e mëposhtme:

  • Nivelet e shumëfishta të lutjes, duke përfshirë kërkesat, ndërhyrjet dhe falënderimet për njerëzit.
  • Lutja u drejtohet të GJITHË njerëzve, madje përfshihen edhe mbretërit e sundimtarët. Siç e vlerësojmë situatën e botës sot, sigurisht që, më shumë se kurdoherë tjetër, kjo është vendimtare që dëshira e Perëndisë të përmbushet.
  • Dëshira e Perëndisë është e dyfishtë: që të gjithë njerëzit të shpëtohen dhe të gjithë ata të arrijnë te njohja e plotë e së vërtetës. Pjesëmarrja jonë në lutje duhet gjithashtu ta pasqyrojë këtë dëshirë.
  • Kjo lutje është shumë specifike dhe me objektiv të përcaktuar qartë, pasi ajo përmend edhe nevojën për një jetë të qetë e të paqtë. Në një situatë të tillë Perëndia ka një rrugë për t’i shpëtuar njerëzit dhe për t’i sjellë ata te njohja e plotë e së vërtetës.

Nga përjetimi ynë mund të themi se, kur një grup i njerëzve të Perëndisë do të marrin pjesë në një lutje të tillë, brenda disa viteve të gjitha këto çështje specifike do të realizohen. Ne shpresojmë sinqerisht që shumë veta të mund të luten në një mënyrë të tillë ndërsa këta libra përhapin falas njohjen e plotë të së vërtetës.

Merrni pjesë nëpërmjet dhurimit

Rhema është një korporatë jofitimprurëse e themeluar më 1982 në shtetin e Uashingtonit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kontributet për Rhema-n, në përputhje me kodin për Doganat e Brendshme të ShBA, seksioni 501(c)(3), janë të pataksueshme. Ekziston një Bord Drejtorësh i pavarur, që administron financat e Rhema-s.

Të gjitha dhurimet janë të mirëpritura dhe përdoren për të përhapur Biblën e letërsi të krishterë, si dhe për të kryer veprimtari ndihmëse të tilla si konferenca e seminare, që i ndihmojnë lexuesit për t’i kuptuar e për t’i përjetuar të vërtetat që përmban Bibla.

Informacioni juaj vetjak nuk do të zbulohet për qëllime komerciale dhe as nuk do t’u jepet organizatave të tjera.

Jepni dhe do t’ju jepet; një masë e mirë, e ngjeshur, e tundur dhe gufuese do të derdhet prej tyre në gjirin tuaj. Se me atë masë që matni, ajo do t’ju matet edhe juve.
Luka 6:38

Ata që janë ngarkuar nga Zoti për t’i dhënë Rhema-s, mund të dhurojnë në mënyrat e mëposhtme:

Bëni një dhurim

Merrni pjesë duke dalë vullnetarë

Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj gjithë kombet, duke i pagëzuar ata në emrin e Atit dhe Birit dhe Frymës së Shenjtë, duke i mësuar ata të zbatojnë gjithçka që ju kam urdhëruar. Dhe ja, Unë jam me ju gjatë gjithë ditëve deri në mbarim të epokës.
Mateu 28:19-20

Por do të merrni fuqi kur Fryma e Shenjtë të vijë mbi ju, dhe do të jeni dëshmitarët e Mi si në Jerusalem ashtu dhe në Jude e Samari dhe deri në skajet më të largëta të tokës.
Veprat 1:8

Për ata që duan të marrin pjesë në shpërndarjen e letërsisë falas në pjesë të ndryshme të globit, ju lutemi, na kontaktoni.

Na kontaktoni

Librat tanë të krishterë falas

I disponueshëm në format libri elektronik ose libri të printuar

Librat tanë mund t'ju ndihmojnë ta njihni Biblën, të mësoni rreth Krishtit dhe të siguroni ndihmë praktike për jetën tuaj të krishterë. Kjo seri përmban 7 libra që janë sistemuar në 3 komplete. Temat në këtë seri përparojnë njëra pas tjetrës dhe janë një furnizim i mrekullueshëm për çdonjërin.

Mësoni më shumë

Ndajeni me të tjerë